Aktuale
Haxhiu: Eliot Engel e deshi Kosovën, prandaj Kosova nuk do ta harrojë kurrë atë
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbajtur fjalim në seancën solemne në shenjë nderimi për kongresistin amerikan, Eliot Engel.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se sot, në këtë seancë solemne, kujtojmë dhe nderojmë një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, duke shtuar më tej se sot e nderojmë dhe e kujtojmë mikun besnik, por edhe ligjvënësin e drejtë amerikan, i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bashkë edhe me shumë kongresistë dhe senatorë të tjerë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav.
“Për 32 vite, 16 mandate me radhë, ai shërbeu me ndershmëri dhe vendosmëri në Kongresin Amerikan. E drejtoi Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. Përgjatë gjithë karrierës së tij politike ai nuk reshti së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtyte të larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo më tej tha se në vitet e errëta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin.
“Ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara shtrihen oqeane dhe mijëra kilometra. Në hartë jemi larg, në madhësi dhe në fuqi jemi të pakrahasueshëm, por në jetën e kombeve të shtypura, largësia më e madhe është qëndrimi larg vëmendjes dhe vendimmarrjes. Vendet e vogla shpesh duhet të trokasin gjatë në dyert e botës që të dëgjohen. Në shumë raste ato dyer mbeten të mbyllura deri sa bëhet tepër vonë. Rajoni jonë e njeh mirë këtë pritje, por kur ke miq sikurse kongresisti Eliot Engel hapja e dyerve të tilla është e mundshme dhe është historike”, ka thënë Haxhiu.
Në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu tha se më 11 qershor të vitit 1996, kongresisti demokrat arriti ta sigurojë mbështetjen e demokratëve dhe të republikanëve për çështjen e Kosovës.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM