Aktuale
Aksioni i Inspektoritat të Punës, 34 bizneseve u ndalohet puna
Inspektorati Qendror i Punës, duke zbatuar vendimin e ministrit të Punës, Andin Hoti dhe në përputhje me kompetencat ligjore, ka zhvilluar një aksion të gjerë inspektues në sektorët me rrezik të lartë në të gjithë Kosovën.
Sipas raportit 48-orësh, janë kryer gjithsej 72 inspektime. Në 34 raste është vendosur masa e ndalimit të punës, ndërsa vetëm 2 subjekte kanë arritur të pajisen me leje pune. Po ashtu, janë dhënë 22 vërejtje, ndërsa 16 biznese kanë rezultuar pa shkelje.
Kontrollet janë realizuar në disa qytete, përfshirë Prishtinën, Fushë Kosovën, Ferizajn, Gjilanin, Mitrovicën dhe Lipjanin. Numri më i lartë i ndalimeve është regjistruar në Ferizaj me 8 raste, i ndjekur nga Gjilani dhe Fushë Kosova me nga 6 raste secila.
Megjithatë, pavarësisht këtij aksioni, një punëtor 46-vjeçar është lënduar rëndë pasi ka rënë nga kati i dytë i një objekti në ndërtim në rrugën “Uran Tinova” në Ferizaj. Ngjarja ka ndodhur të premten dhe është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas autoriteteve, i lënduari fillimisht është trajtuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Institucionet kanë paralajmëruar se aksionet inspektuese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim rritjen e sigurisë në vendin e punës dhe zbatimin e ligjit.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM