Kosovë
Aksion i jashtëzakonshëm në gjithë territorin e Kosovës për sigurinë në punë, formohen 15 grupe inspektimi
Inspektorati Qendror i Punës, në zbatim të vendimit të Ministrit të Punës, Andin Hoti dhe në përputhje me mandatin e tij ligjor, ka filluar sot aksionin e jashtëzakonshëm të inspektimeve në sektorët me rrezikshmëri të lartë, me fokus të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në njoftim bëhet e ditur se ky aksion përfshin të gjitha rajonet e Kosovës dhe synon rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe parandalimin e aksidenteve dhe incidenteve në vendin e punës.
“Në kuadër të këtij aksioni, Inspektorati Qendror i Punës ka angazhuar mbi 90% të kapaciteteve të tij njerëzore, duke formuar 15 grupe inspektimi, të cilat do të zhvillojnë kontrolle intensive në terren në të gjitha rajonet e vendit”, thuhet në njoftim.
Aksioni do të zhvillohet në dy ndërrime të punës dhe do të zgjasë për një periudhë prej 15 ditësh.
Inspektorati Qendror i Punës thekson se aktivitetet inspektuese do të vazhdojnë edhe pas përfundimit të këtij aksioni, me qëllim të garantimit të një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm pune për të gjithë punëtorët. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM