Aktuale
Aksion i përbashkët i Inspektoratit dhe Policisë së Kosovës, mbyllen shtatë biznese në veri, u shqiptohen edhe gjoba
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka mbyllur shtatë biznese në komunat veriore të Kosovës për shkak të mosplotësimit të kushteve minimale teknike për ushtrimin e veprimtarisë. Pesë prej tyre ndodheshin në Mitrovicë të Veriut, ndërsa dy në komunën e Zveçanit.
Sipas Inspektoratit, gjatë mbrëmjes së kaluar, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është zhvilluar një aksion i përbashkët inspektues, me fokus në kontrollimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së operatorëve ekonomikë dhe respektimin e kushteve ligjore për ushtrimin e veprimtarisë afariste.
“Gjatë inspektimeve është konstatuar gjithashtu se njëri nga bizneset ushtronte veprimtari në mënyrë ilegale, pa qenë i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK). Përveç mbylljes së bizneseve, ndaj operatorëve ekonomikë janë shqiptuar edhe shtatë gjoba, si masa ndëshkuese për shkeljet e konstatuara”, është thënë në njoftimin e IQMT-së.
Inspektorati ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim të garantimit të zbatimit të ligjit, formalizimit të veprimtarisë ekonomike dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
“Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të sigurojnë përmbushjen e kushteve minimale teknike dhe ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi”, është thënë në njoftim.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM