Aktuale
121 telefona pa dokumentacion ndalohen nga Dogana në Gjakovë
Dogana e Kosovës ka ndaluar 121 telefona celularë të markave iPhone dhe Samsung gjatë një operacioni antikontrabandë në Gjakovë, pasi për pajisjet nuk është paraqitur dokumentacion që dëshmon prejardhjen e tyre dhe përmbushjen e detyrimeve doganore.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, kontrolli është zhvilluar në një biznes që merret me shitjen e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike, si dhe në një banesë që pronari e shfrytëzonte si depo për ruajtjen e mallrave.
Gjatë kontrolleve në të dy lokacionet janë gjetur telefona të rinj dhe të përdorur, për të cilët nuk kishte dëshmi për prejardhjen e ligjshme dhe kryerjen e procedurave të zhdoganimit.
Të gjithë 121 telefonat janë evidentuar përmes numrave identifikues IMEI dhe janë vendosur nën mbikëqyrje doganore.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur procedurat për verifikimin e prejardhjes së pajisjeve, përcaktimin e detyrimeve eventuale doganore dhe trajtimin e shkeljeve të dyshuara sipas legjislacionit në fuqi.
Ky operacion është pjesë e angazhimeve të Doganës për luftimin e kontrabandës, tregtisë së paligjshme dhe shmangies së detyrimeve doganore në Kosovë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM