Aktuale
Pas rastit tragjik, Prokuroria në Pejë flet për parashtresën e viktimës
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se më 22 tetor ka pranuar një parashtresë nga A.Z., tashmë e ndjera, e cila kishte kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse për pretendimet e saj për neglizhencë në trajtimin e rasteve, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, kryeprokurorja e ka urdhëruar regjistrimin e parashtresës për trajtim nga prokurori kompetent, me qëllim të vlerësimit të pretendimeve për përgjegjësi penale lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent edhe institucioneve përkatëse, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale.
Prokuroria u ka kërkuar këtyre institucioneve që të shqyrtojnë pretendimet e paraqitura dhe të verifikojnë nëse ka pasur lëshime apo veprime të parregullta nga zyrtarët përgjegjës.
Vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e shtëpisë u ekzekutua
Në lidhje me kërkesën e viktimës për ekzekutimin e vendimit gjyqësor që kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka njoftuar se ekzekutimi i tij është mundësuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet e paraqitura nga viktima dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse, do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore.
Në fund të njoftimit, Prokuroria ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM