Aktuale
LAJMI I FUNDIT: VV-ja nis mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Arbërie Nagavci ka njoftuar se Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Nagavci ka bërë të ditur se në këtë seancë do të kërkohet themelimi i një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në këtë rast.
Ajo ka theksuar se duhet të hetohet i gjithë zinxhiri i përgjegjësisë, duke kërkuar që askush të mos i shmanget llogaridhënies për dështimet e mundshme institucionale.
Reagimi i plotë:
“Vrasja e gruas në Vitomiricë të Pejës, e cila tri ditë më parë kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj, është një tragjedi që kërkon drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.
Si Grup Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kemi nisur menjëherë mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, që të mbahet sot. Si hap të parë, do të kërkojmë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë në këtë rast dhe për të zbardhur veprimet dhe mosveprimet e institucioneve.
Ajo kërkoi ndihmë dhe mbrojtje, por përfundoi e vrarë. Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Përgjegjësia matet me aftësinë për ta parandaluar dhunën dhe për të reaguar me kohë.
Çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë.”
BASHKOHUNI NË DISKUTIM