Aktuale
Rreth 560 biznese të licencuara për tregtimin e naftës në Kosovë, MINTI synon forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) po administron procesin e licencimit të bizneseve që merren me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, me qëllim të zbatimit të kërkesave ligjore, garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
Sipas të dhënave të ministrisë, aktualisht në Kosovë janë të pajisura me leje rreth 560 subjekte ekonomike. Këto biznese posedojnë rreth 750 leje për shitjen me pakicë të dizelit dhe benzinës, si dhe rreth 750 leje për veprimtari të tjera që lidhen me produktet e naftës.
Lejet për ushtrimin e këtyre veprimtarive lëshohen për një periudhë gjashtëvjeçare. Para skadimit të tyre, bizneset duhet të aplikojnë për vazhdim të lejes dhe të dëshmojnë se vazhdojnë t’i përmbushin kushtet e përcaktuara me ligj.
Për t’u licencuar, operatorët ekonomikë duhet të jenë të regjistruar dhe të plotësojnë kriteret ligjore e teknike, përfshirë kërkesat që lidhen me objektet, pajisjet dhe dokumentacionin përkatës. Këto kushte ndryshojnë varësisht nga lloji i veprimtarisë për të cilën kërkohet leja.
Në kuadër të përgjegjësive të saj, Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës (DRTN), në bashkëpunim me institucionet përkatëse, trajton edhe çështjet që lidhen me cilësinë e produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme, si dhe propozon masa për të siguruar furnizim të qëndrueshëm në treg.
MINTI synon që përmes këtij procesi të kontribuojë në krijimin e një tregu më transparent dhe konkurrues, ku bizneset veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa konsumatorëve u ofrohen produkte cilësore dhe të sigurta.
Informacionet dhe formularët për aplikim për licencim janë në dispozicion në faqen zyrtare të MINTI–t: https://mint.rks-gov.net/page.aspx?id=1,150.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM