Aktuale
Dogana e Kosovës zbulon 113 telefona të kontrabanduar, kontrollohen një biznes dhe një banesë në Prishtinë
Dogana e Kosovës ka zbuluar 113 telefona mobilë të kontrabanduar gjatë një operacioni kontrolli të realizuar mbrëmjen e 23 tetorit ndaj një biznesi që merret me tregtimin e telefonave mobilë dhe një banese në afërsi të tij.
Sipas njoftimit të Doganës, operacioni është zhvilluar pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative. Fillimisht është kontrolluar lokali afarist, ndërsa më pas, bazuar në informacionet e siguruara, kontrolli është zgjeruar edhe në një banesë që dyshohet se shfrytëzohej për fshehjen dhe ruajtjen e telefonave të kontrabanduar.
Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë gjetur gjithsej 113 telefona të markave dhe modeleve të ndryshme, përfshirë Apple iPhone, Samsung Galaxy, Xiaomi, Redmi, POCO, Google Pixel, OnePlus dhe Huawei.
Dogana bën të ditur se për telefonat e zbuluar nuk është paraqitur dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të mallrave, importimin përmes procedurave të rregullta doganore apo pagesën e detyrimeve përkatëse.
Si rezultat i operacionit, të gjithë telefonat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj personit të dyshuar janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Personi i dyshuar është intervistuar nga zyrtarët kompetentë dhe, me urdhër të prokurorit të rastit, është liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale, përmes kontrolleve të bazuara në informacione operative dhe analizave të rrezikut.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM