Aktuale
Kusari-Lila takohet me komisioneren evropiane, diskutojnë për inovacionin në Kosovë
Në takim morën pjesë edhe zëvendësministri i parë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, si dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kusari-Lila ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar pas miratimit të Deklaratës së Përbashkët ndërmjet BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor për forcimin e kërkimit dhe inovacionit.
Sipas saj, në fokus të diskutimeve ishte rritja e pjesëmarrjes së studiuesve, universiteteve dhe bizneseve inovative të Kosovës në programet evropiane, veçanërisht në programin Horizon Europe, si dhe zhvillimi i Fondit të Inovacionit.
Ministrja ka theksuar rëndësinë e avancimit të Ligjit për Inovacionin dhe krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm financiarë për mbështetjen e ndërmarrjeve inovative.
Ajo ka vënë në pah edhe nevojën për fuqizimin e rolit të grave në inovacion, si dhe rëndësinë e arsimit profesional dhe atij dual për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
Kusari-Lila ka bërë të ditur se një tjetër prioritet mbetet përfshirja e Kosovës në European Innovation Scoreboard, me qëllim të matjes së performancës dhe zhvillimit të politikave më efektive në këtë sektor.
Në fund, ajo ka theksuar se bashkëpunimi me partnerët evropianë dhe investimet në kërkim e inovacion janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, krijimin e bizneseve konkurruese dhe hapjen e mundësive të reja për të rinjtë në Kosovë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM