Aktuale
Kusari-Lila: Duhet të krijojmë kushte që gratë të jenë më aktive në tregun e punës
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar rëndësinë e krijimit të vendeve të punës që mundësojnë balancimin e jetës profesionale me atë familjare, duke vënë në pah nevojën për politika që mbështesin punonjësit dhe fuqizojnë bizneset.
Këto çështje u diskutuan në një takim të organizuar nga Kosova CSR Network, ku Kusari-Lila, së bashku me drejtoreshën ekzekutive të këtij rrjeti, Zana Bajrami Rama, diskutoi për rëndësinë e mjediseve të punës që u përgjigjen nevojave të punonjësve dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve.
“Si grua, nënë dhe ministre, besoj se suksesi profesional dhe jeta familjare duhet të ecin krah për krah”, ka theksuar Kusari-Lila, duke shtuar se zhvillimi i vërtetë nuk matet vetëm me arritjet në punë, por edhe me mundësinë për të kaluar kohë pranë njerëzve të rëndësishëm në jetë.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë pesë viteve të fundit, Qeveria e Kosovës ka punuar në krijimin e skemave mbështetëse për gratë, të rinjtë dhe fëmijët, me synimin për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve dhe për të krijuar kushte më të favorshme për pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.
Postim i plotë:
Si grua, nënë dhe ministre, besoj se suksesi profesional dhe jeta familjare duhet të ecin krah për krah. Zhvillimi i vërtetë nuk matet vetëm me atë që arrijmë në punë, por edhe me mundësinë për të qenë pranë njerëzve që kanë rëndësi për ne.
Këtë mesazh e ndamë në diskutimin e organizuar nga Kosova CSR Network, së bashku me drejtoreshën ekzekutive Zana Bajrami Rama, ku folëm për rëndësinë e vendeve të punës që mbështesin punonjësit dhe fuqizojnë bizneset.
Gjatë pesë viteve të fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka punuar intensivisht për krijimin e skemave mbështetëse për gratë, të rinjtë dhe fëmijët. Zgjerimi i rrjetit të kopshteve dhe, në të ardhmen, i institucioneve për kujdesin ndaj të moshuarve, krijon vlerë për qytetarët dhe ndihmon në lehtësimin e barrës së kujdesit familjar, e cila shpesh i mban gratë jashtë tregut të punës.
Në MINTI, përmes skemave të granteve dhe programeve mbështetëse, po u krijojmë bizneseve mundësi për zhvillim, digjitalizim, inovacion dhe zgjerim në tregje të reja. Këto investime ndihmojnë edhe në krijimin e modeleve më fleksibile të punës dhe në ndërtimin e një balance më të mirë mes punës dhe familjes.
Njëkohësisht, mbetemi në dialog të vazhdueshëm me bizneset për të dëgjuar nevojat dhe sfidat e tyre, në mënyrë që politikat dhe mbështetja jonë të jenë sa më konkrete dhe t’u përgjigjen sa më mirë këtyre nevojave.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM