Aktuale
Kosova dhe Austria forcojnë bashkëpunimin ekonomik, nënshkruhet Protokolli i Komisionit të Përbashkët
Kosova dhe Austria kanë rënë dakord për thellimin e bashkëpunimit ekonomik bilateral, pas nënshkrimit të Protokollit të sesionit të gjashtë të Komisionit të Përbashkët për Marrëdhëniet Ekonomike Bilaterale.
Protokolli u nënshkrua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Ministria Federale e Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit e Austrisë, gjatë takimit të mbajtur më 14 tetor në Vjenë.
Delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga Artan Demolli, ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të MINTI-t, ndërsa delegacioni austriak nga Elisabeth Weissenböck, udhëheqëse e Drejtorisë për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë në ministrinë përkatëse.
Gjatë sesionit, palët diskutuan mundësitë për zhvillimin industrial, integrimin e ndërmarrjeve kosovare në zinxhirët evropianë të furnizimit, energjinë e ripërtëritshme, digjitalizimin, inovacionin dhe pronësinë industriale.
Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu menaxhimi i mbeturinave, ekonomia qarkore dhe arsimi e aftësimi profesional dual, me theks në shkëmbimin e ekspertizës dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Përmes protokollit të nënshkruar, të dyja vendet synojnë të forcojnë koordinimin institucional, të organizojnë takime ndërmjet ekspertëve dhe të lehtësojnë kontaktet mes bizneseve kosovare dhe austriake. Këto hapa pritet të ndihmojnë në identifikimin e projekteve të përbashkëta, krijimin e mundësive të reja për investime dhe zgjerimin e partneriteteve ndërmjet ndërmarrjeve të të dyja vendeve.
Në përfundim të takimit, palët u pajtuan që sesioni i ardhshëm i Komisionit të Përbashkët të mbahet në Prishtinë, me synimin për të vazhduar dialogun ekonomik dhe për të avancuar fushat e dakorduara të bashkëpunimit.
MINTI ka theksuar përkushtimin për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, tërheqjen e investimeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve kosovare, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe integrim më të madh të Kosovës në tregun evropian.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM