Futboll
Vllaznia prezanton trajnerin e ri, Csaba László merr drejtimin e kuqebluve pas ndërmjetësimit të Trepçës dhe Konushevcit
Xhafer Trepça dhe Adnan Konushevci ndërmjetësuan për kalimin e trajnerit me përvojë nga Champions League deri në Ligat Evropiane, ish-Trajnerit të Vitit në Skoci dhe Hungari
KF Vllaznia ka zyrtarizuar Csaba László si trajnerin e ri të skuadrës. Tekniku 62-vjeçar hungarez merr drejtimin e kuqebluve pas përfundimit të bashkëpunimit me Edi Martinin.

Kalimi i Lászlós te Vllaznia u ndërmjetësua nga Xhafer Trepça dhe Adnan Konushevci, duke sjellë në Shkodër një trajner me përvojë të gjatë në futbollin ndërkombëtar, nga Champions League dhe kompeticionet evropiane, deri te drejtimi i kombëtareve dhe klubeve në disa vende të Evropës dhe më gjerë.
László ka një karrierë të pasur, me eksperienca në Gjermani, Hungari, Ugandë, Skoci, Belgjikë, Lituani, Sllovaki, Indi dhe Rumani. Në Gjermani ai ka punuar edhe në strukturat e Borussia Mönchengladbach, ndërsa më pas ishte pjesë e stafit të Kombëtares së Hungarisë si ndihmës i Lothar Matthäus.
Një nga periudhat më të spikatura të karrierës së tij ishte te Hearts në Skoci. Në sezonin 2008–2009, skuadra përfundoi e treta në kampionat dhe László u shpall Trajneri i Vitit në Skoci, si nga Scottish Premier League, ashtu edhe nga Scottish Football Writers’ Association.
Edhe në Hungari ai kishte marrë më herët një vlerësim të rëndësishëm. Në vitin 2005 u shpall Trajneri Hungarez i Vitit, pasi drejtoi Ferencvárosin drejt fazës së grupeve të UEFA Cup.
Në nivel kombëtaresh, László ka drejtuar Ugandën dhe Lituaninë. Me Ugandën mori drejtimin në vitin 2006, ndërsa në vitin 2012 u emërua trajner i Lituanisë.
Në nivel klubesh, emri i tij lidhet gjithashtu me Ferencváros, FC Sopron, Hearts, Charleroi, MTK Budapest, Dundee United, DAC Dunajská Streda, Chennaiyin FC dhe Sepsi OSK. Eksperienca e tij e fundit para Vllaznisë ishte te Sepsi OSK në Rumani gjatë vitit 2025.
Tashmë, Csaba László nis një kapitull të ri në Shqipëri, në krye të Vllaznisë së Shkodrës, me synimin për të sjellë eksperiencën e tij ndërkombëtare te kuqeblutë. Klubi e përshkruan emërimin me tri fjalë: “Eksperiencë. Personalitet. Ambicie.”
BASHKOHUNI NË DISKUTIM