Aktuale
Kusari-Lila viziton Parkun Industrial në Suharekë, 56 biznese punësojnë rreth 2 mijë persona
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar Komunën e Suharekës, ku është takuar me kryetarin e komunës, Bali Muharremaj, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin e bizneseve dhe rritjen e prodhimit vendor.
Gjatë vizitës, Kusari-Lila ka qëndruar në Parkun Industrial në Shirokë, ku aktualisht operojnë 56 biznese nga sektorë të ndryshëm dhe janë të punësuar rreth 2 mijë persona.
Ministrja ka vizituar kompaninë “Solid SH.P.K.”, ku është njoftuar për procesin e prodhimit të këpucëve dhe standardet e aplikuara në këtë sektor. Rreth 80 për qind e të punësuarve në këtë kompani janë gra, ndërsa kompania ka instaluar edhe panele solare për prodhimin e energjisë së pastër.
Sipas të dhënave të kompanisë, deri në 75 për qind e produkteve eksportohen në tregjet evropiane, ndërsa së fundmi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kusari-Lila ka vizituar edhe kompaninë “Paradisa Glass and Stone”, ku është takuar me pronarin Xhemajl Hajdari. Pas përvojës së punës në Zvicër, Hajdari është kthyer në Kosovë dhe, së bashku me djemtë e tij, ka investuar në prodhimin e produkteve nga xhami dhe mermeri.
Në Parkun Industrial të Shirokës vepron edhe “WOOD CORPORATION L.L.C.”, e cila eksporton produktet e saj në Zvicër dhe Gjermani dhe punëson mbi 400 persona. Më shumë se gjysma e të punësuarve në këtë kompani janë gra dhe vajza.
Gjatë vizitës, ministrja theksoi rëndësinë e rritjes së prodhimit vendor, zgjerimit të eksporteve dhe krijimit të vendeve të reja të punës, duke veçuar edhe përfshirjen e grave dhe vajzave në sektorin e prodhimit.
Në takim është diskutuar edhe për mirëmbajtjen e Parkut Industrial në Shirokë, si dhe për dizajnin dhe përgatitjen e Parkut Industrial në Duhël.
Sipas Kusari-Lilës, zhvillimi i këtyre hapësirave mbështetet në Ligjin Nr. 08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike, i cili përcakton një kornizë të re për administrimin dhe menaxhimin e tyre.
Ministrja ka theksuar se përmes zhvillimit të parqeve industriale, veçanërisht atyre me komponentë të gjelbër, synohet avancimi i një modeli më modern dhe të qëndrueshëm të zhvillimit industrial.
Në këtë drejtim, ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet të iniciohet në Gjakovë pilotimi i parë i Parkut Industrial të Gjelbër.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM