Aktuale
Hamza: Protesta nuk është e drejtuar ndaj askujt, por në përkrahje të plotë të ish-krerëve të UÇK-së
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza së bashku me deputetët e kësaj partie, i janë bashkuar protestës gjithpopullore në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të organizuara nga shoqatat e luftës, në Prishtinë.
Në një prononcim për gazetarë ai tha se vendimi dënues i Gjykatës Speciale është i papranueshëm dhe, sipas tij, i pabazuar në fakte.
Hamza tha se kjo protestë nuk është drejtuar ndaj askujt, por është në përkrahje të plotë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Ne jemi për drejtësi, jemi kundër padrejtësisë dhe tash këtë proces, këtë gjykatë çka kemi pa, kemi pa padrejtësi. Ky është një vendim i papranueshëm për qytetarët e Kosovës, vendim i padrejtë, i pabazuar në fakte, është vendim politik dhe sigurisht ne jemi këtu me shpreh pakënaqësinë tonë. Kjo protestë është në përkrahje të liderëve tanë, të udhëheqëseve të UCK-së, solidarizim dhe përkrahje e pakufishme për të. Nuk është e drejtuar ndaj askujt, po, në përkrahje të plotë. Do bëjmë gjitha veprimet e nevojshme, demokratike, edhe protesta, por, edhe veprime ligjore . Besoj se sot do të konkretizojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Hamza.
Protesta, e thirrur me moton “Në mbrojtje të UÇK-së”, po mbahet dy ditë pas shpalljes së aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilët u dënuan, në total, me 81 vjet burgim.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM