Aktuale
Rizvanolli: Kosova po krijon mundësi të reja për investime në energjinë e ripërtëritshme
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në Tryezën e Diskutimit “Si mund të tërheqë Kosova investitorë gjermanë në ankandet e ardhshme të energjisë së ripërtëritshme?”, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, në kuadër të një projekti të financuar nga GIZ.
Gjatë fjalës së saj, Rizvanolli prezantoi zhvillimet e deritanishme në procesin e ankandeve për energjinë e ripërtëritshme, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një tregu konkurrues, transparent dhe të parashikueshëm për investitorët.
Ajo foli për ecurinë e ankandeve të para për energjinë diellore dhe të erës, përvojat e fituara gjatë këtyre proceseve, si dhe për planet e Qeverisë për ankandet e ardhshme.
Në fokus të diskutimit ishte edhe rritja e interesimit të investitorëve gjermanë për sektorin e energjisë në Kosovë. Rizvanolli theksoi se bashkëpunimi me Gjermaninë dhe investimet private janë të rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme dhe për avancimin e objektivave energjetike të vendit.
Tryeza mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, sektorit privat, komunitetit ndërkombëtar, shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës, ndërsa diskutimet shërbyen edhe si përgatitje për Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM