Aktuale
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit sqaron rritjen e çmimit të naftës: Deri në 1.94€ për litër, monitorimi po vazhdon në gjithë Kosovën
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po monitoron në vazhdimësi çmimet e derivateve të naftës në territorin e Kosovës.
Sipas MINTI-t, bazuar në çmimet e importit të deklaruara nga Dogana e Kosovës, deri më tani nuk është konstatuar abuzim me çmimet e shitjes së derivateve.
Të dhënat zyrtare tregojnë se çmimi i importit të naftës gjatë 24 orëve të fundit ishte 1.83€ për litër, ndërsa çmimi në pompat e derivateve ka lëvizur nga 1.92€ deri në 1.94€ për litër.
Sa i përket benzinës, çmimi i importit ishte 1.54€ për litër, ndërsa në shitje me pakicë është raportuar nga 1.61€ deri në 1.67€ për litër.
MINTI thotë se rritja e çmimeve nuk është pasojë e lëvizjeve të çmimeve brenda Kosovës, por lidhet me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritjen e çmimit të furnizimit.
Ministria ka bërë të ditur se, nëse gjatë monitorimit konstatohet abuzim me çmimet, do të shqyrtohet mundësia e rikthimit të marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM