Aktuale
Ekonomia e Kosovës u rrit për 4,06% në tremujorin e dytë të këtij viti
Bruto Produkti Vendor i Kosovës shënoi rritje reale prej 4,06 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka prezantuar BPV-në sipas aktiviteteve ekonomike dhe qasjes së shpenzimeve, transmeton Zeri.info.
Sipas ASK-së, rritjen më të madhe ndër aktivitetet ekonomike e kanë shënuar aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me 15,67 për qind, ndërsa ndërtimtaria u rrit me 15,35 për qind.
Rritje është regjistruar edhe në informacion dhe komunikim me 5,04 për qind, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike me 3,99 për qind, tregtia, transporti, magazinimi, akomodimi dhe shërbimet ushqimore me 3,48 për qind, industria përpunuese me 3,48 për qind, si dhe bujqësia, pylltaria dhe peshkimi me 2,65 për qind.
Ndërkohë, industria nxjerrëse dhe përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbeturinave shënuan rritje prej 2,60 për qind.
Sipas metodës së shpenzimeve, formimi i bruto kapitalit u rrit me 11,91 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve me 9,83 për qind, eksporti i mallrave dhe shërbimeve me 6,82 për qind, shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 7,02 për qind, ndërsa shpenzimet e konsumit final të ekonomive familjare dhe NPISH u rritën me 4,40 për qind.
Rritja reale prej 4,06 për qind në TM2 2026 vjen pas rritjes prej 5,27 për qind të regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2026.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM