Aktuale
“Mentalitet i Albin Kurtit”, Rama thotë se u përjashtua nga forumi për “Lojërat Mesdhetare 2030”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka hedhur akuza ndaj Qeverisë së Kosovës se e kanë përjashtuar nga fjalimi në një forum në kuadër të Lojrave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Rama ka thënë se ky është një përjashtim me kërkesë direkte të Ministrisë së Sportit.
“Prishtina është qyteti nikoqir i “Lojërave Mesdhetare 2030”. Megjithatë, në forumin “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”, të organizuar pikërisht për rrugën drejt vitit 2030, nga European Investors Council (EIC), unë si Kryetar i Prishtinës përjashtohem nga fjala, sipas organizatorëve, me kërkesë direkte të Ministrisë së Sportit.”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se një vendim i tillë është politik dhe presion mbi organizatorët.
“Kjo nuk është gafë protokollare. Është vendim politik dhe është presion ndaj organizatorëve! Ironikisht ky forum është i organizuar për koordinim, partneritet dhe investime. Ky është mentaliteti qeverisës i Albin Kurtit, ku edhe një projekt i përmasave ndërkombëtare tentohet të filtrohet përmes interesit partiak dhe kontrollit politik.”, ka thënë ai.
Sipas tij, të organizosh forum për Prishtina 2030 dhe të kërkosh përjashtimin e kryetarit të Prishtinës nga fjala, siç ka thënë ai, është institucionalisht absurd dhe politikisht simptomatik.
“Albin Kurti mund ta kontrollojë listën e folësve, por Prishtina 2030, fatmirësisht, është shumë më e madhe se lista e tij, komplekset e tij dhe deficitet e tij personale”, ka thënë Rama.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM