Aktuale
BE-ja kërkon respektimin e verdiktit të Speciales: Vendimi i 16 shtatorit mund të apelohet
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Brukseli kanë thënë se aktgjykimi i shkallës së parë, që pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë, mund të apelohet nga të dyja palët.
“U bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Gazetën Express.
BE-ja ka rikujtuar mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke i cilësuar ato si një institucion gjyqësor të pavarur, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015.
Nga Brukseli kanë theksuar gjithashtu se vendimi i 16 shtatorit nuk shënon fundin e procesit gjyqësor, pasi aktgjykimi i shkallës së parë mund të ankimohet si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria.
“Si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Ndërkohë, sot në Prishtinë pritet të mbahet “Marshi për Liri”, në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së, me pjesëmarrjen e qytetarëve nga e gjithë Kosova.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit është zhvilluar në Hagë, ndërsa ndaj tyre Prokuroria e Specializuar ka ngritur akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM