Aktuale
Rizvanolli: Ankandi i Erës hyn në fazën vendimtare, tre ofertues garojnë për 50–100 MW kapacitete të reja
Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur fazën e dorëzimit të ofertave për Ankandin e Parë të Erës, një nga proceset më të rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Ankandi synon zhvillimin e projekteve me kapacitet të përgjithshëm prej 50 deri në 100 megavat (MW) dhe ka për qëllim tërheqjen e investimeve private në sektorin e energjisë, rritjen e prodhimit vendor dhe diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike.
Në garë kanë hyrë tre ofertues të kualifikuar, të cilët kanë dorëzuar ofertat e tyre në kuadër të procesit konkurrues:
🔹 Konsorciumi Notus Energy GMBH dhe Stublla Energy LLC, nga Gjermania dhe Kosova;
🔹 Akuo Energy SAS, nga Franca;
🔹 GÜRİŞ Inşaat ve Mühendislik AS, nga Turqia.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se pranimi i ofertave shënon përmbylljen e një etape të rëndësishme dhe kalimin në fazën e radhës të Ankandit të Erës.
Në javët në vijim, ofertat do t’i nënshtrohen vlerësimit ligjor, administrativ dhe teknik, për të verifikuar nëse ofertuesit i përmbushin të gjitha kriteret e përcaktuara. Vetëm ofertat që i plotësojnë këto kërkesa do të kalojnë në fazën e vlerësimit financiar.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, fitues do të shpallet ofertuesi që ofron çmimin më të ulët, me synim që procesi të sigurojë konkurrencë të ndershme, transparencë dhe vlerën më të mirë për qytetarët.
Ankandi i Erës konsiderohet një hap i rëndësishëm në tranzicionin energjetik të Kosovës, duke synuar shtimin e kapaciteteve të energjisë së pastër, forcimin e sigurisë së furnizimit dhe uljen e varësisë nga burimet tradicionale të energjisë.
Procesi po zhvillohet me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), Qeverinë e Gjermanisë dhe Qeverinë e Luksemburgut përmes LuxDev.


BASHKOHUNI NË DISKUTIM