Aktuale
Guvernatori Ismaili pret ambasadorin Malaj, në fokus SEPA e bashkëpunimi financiar
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet në sistemin financiar të Kosovës, stabilitetin e sektorit dhe reformat që po ndërmerr BQK-ja për avancimin e mbikëqyrjes financiare dhe përafrimin e kuadrit ligjor e rregullativ me standardet e Bashkimit Evropian.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve i është kushtuar bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe Bankës së Shqipërisë, veçanërisht në fushën e mbikëqyrjes financiare, sistemeve të pagesave dhe edukimit financiar.
“Në këtë kontekst, guvernatori Ismaili vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona, me theks të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës së Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes financiare, sistemeve të pagesave dhe edukimit financiar mbarëkombëtar. Ai theksoi se shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës ndërmjet dy bankave qendrore kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në avancimin e mëtejmë të sektorit financiar”, thuhet në njoftim.
Në takim është diskutuar edhe për modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe proceset që lidhen me integrimin e Kosovës në sistemet evropiane të pagesave. Guvernatori Ismaili e ka njoftuar ambasadorin Malaj për proceset drejt Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA), zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta dhe projektin TIPS Clone.
Sipas BQK-së, këto iniciativa synojnë mundësimin e pagesave më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve.
Diskutimet janë përfshirë edhe masat për mbrojtjen e konsumatorit dhe edukimin financiar, përfshirë qasjen në financa dhe llogarinë bazike, si dhe nismat për forcimin e sigurisë kibernetike në sektorin financiar.
“Nga ana e tij, Ambasadori Petrit Malaj e ka përgëzuar Guvernatorin Ismaili për punën dhe reformat e ndërmarra nga BQK-ja. Ai ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet BQK-së dhe Bankës së Shqipërisë dhe ka shprehur mbështetjen për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.
Në përfundim, palët kanë rikonfirmuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të përvojave për zhvillimin, modernizimin dhe integrimin e mëtejmë të sistemeve financiare të Kosovës dhe Shqipërisë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM