Aktuale
Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë hyjnë në grevë, Azemi: Do të vazhdojë deri në ekzekutimin e pagave
Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Prishtinë kanë hyrë të martën në grevë, duke kërkuar pagesën e pagave të mbetura dhe kompensimin e ditëve për të cilat pretendojnë se nuk janë paguar.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë se greva ishte paralajmëruar më herët dhe se punëtorët kanë ndërprerë punën që nga orët e hershme të mëngjesit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi ka deklaruar se sindikata kishte pasur të zhvillonte një takim me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës, por sipas tij, përfaqësuesit e sindikatës u paraqitën në orarin e caktuar, ndërsa drejtori nuk mori pjesë në takim.
“Ne ishim në kohën dhe në momentin e caktuar, dhe ai nuk doli të bisedojë me neve”, ka deklaruar Azemi.
Sipas tij, punëtorët kanë dy kërkesa kryesore: ekzekutimin e pagave të vonuara dhe kompensimin e ditëve për të cilat pretendojnë se nuk janë paguar.
Azemi ka pretenduar se punëtorët nuk janë paguar për muajin korrik në përputhje me obligimet ligjore, ndërsa pagat për korrikun dhe gushtin, sipas tij, ende nuk janë ekzekutuar.
“Punëtorët e shkollave të mesme që nga 1 korriku thuajse kanë marrë vetëm 100 euro. Do të thotë korriku dhe gushti komplet janë pa paguar”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se pagesat, sipas afateve të parapara, është dashur të bëheshin më 23 gusht, duke e cilësuar vonesën si pasojë të neglizhencës së zyrtarëve të Komunës së Prishtinës.
Sindikalisti ka bërë të ditur se greva nuk ka afat të përcaktuar dhe do të vazhdojë deri në ekzekutimin e pagave.
“Greva do të vazhdojë deri në momentin që t’u qiten pagat për këta punëtorë”, ka deklaruar Azemi.
Sipas tij, sapo Komuna e Prishtinës t’i kryejë obligimet financiare ndaj kompanive që ofrojnë shërbimet në shkolla, sindikata do t’i njoftojë punëtorët për rikthimin në vendet e tyre të punës.
Azemi ka thënë se sindikata ka kërkuar vazhdimisht dialog me institucionet, por pretendon se takimet e deritanishme nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.
“Ne kemi insistuar disa herë që të bisedojmë, jemi biseduar, jemi parë, por s’ka arritur rezultate. Edhe tani më e vetmja opsion është greva”, ka deklaruar ai.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM