Aktuale
Fillon punën Task-Forca për sigurinë në punë pas vdekjeve në KEK
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka filluar punën Task-Forca për vlerësimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të KEK-ut të datës 28.08.2026, formimi i Task-Forcës vjen pas aksidenteve të fundit në vendin e punës dhe në zbatim të konkluzioneve të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të Korporatës.
Task-Forca përbëhet nga përfaqësues të strukturave operative dhe profesionale të KEK-ut, duke përfshirë edhe përfaqësues sindikalë.
Në raste të caktuara, sipas nevojës, në punën e Task-Forcës mund të përfshihen edhe ekspertë të brendshëm apo ekspertë të jashtëm të specializuar për fusha specifike.
Në fokus të punës së këtij mekanizmi do të jetë vlerësimi i plotë i sistemit aktual të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe shqyrtimi i procedurave, standardeve dhe praktikave që aplikohen në KEK.
Task-Forca pritet të identifikojë mangësitë eventuale dhe të propozojë masa konkrete për forcimin e sigurisë, mbikëqyrjes dhe përgjegjësisë në të gjitha nivelet e Korporatës.
KEK-u ka bërë të ditur se përgjegjësia për zbatimin e rekomandimeve do t’u takojë drejtpërdrejt divizioneve, departamenteve dhe njësive përkatëse.
Ndërkohë, zbatimi i këtyre masave do të mbikëqyret në vazhdimësi nga Menaxhmenti i KEK-ut, deri në realizimin e plotë të tyre.
“Siguria dhe shëndeti i punonjësve janë prioritet absolut i KEK Sh.A. dhe çdo mangësi e identifikuar do të trajtohet me përgjegjësi, transparencë dhe masa konkrete” – thuhet në njoftimin e Korporatës.
Formimi i Task-Forcës vjen në një periudhë kur në KEK janë raportuar aksidente me pasoja të rënda për punëtorët, duke rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë dhe kushteve të punës në sektorin energjetik.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM