Aktuale
Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës pjesë e Grupit Punues për rishikimin e Udhëzimit Administrativ për subvencionet
Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës do të përfaqësojë interesat e sektorit të përpunimit të drurit në procesin e hartimit dhe finalizimit të rregullave për ndarjen e subvencioneve dhe transfereve
Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (ShPDK) është bërë pjesë e Grupit Punues të themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), i cili ka për detyrë hartimin dhe përfundimin e Udhëzimit Administrativ për ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria ekonomike e subvencioneve dhe transfereve.
Në kuadër të këtij grupi punues, ShPDK do të përfaqësohet nga Arjeta Pozhegu, e cila do të përcjellë interesat, nevojat dhe propozimet e sektorit të përpunimit të drurit gjatë procesit të rishikimit të kornizës për subvencione dhe grante.
Sipas ShPDK-së, pjesëmarrja në këtë proces përbën një mundësi të rëndësishme që zëri i industrisë së përpunimit të drurit të përfshihet drejtpërdrejt në hartimin e politikave që ndikojnë në zhvillimin dhe konkurrueshmërinë e bizneseve të këtij sektori.
–
Përmes këtij angazhimi, Shoqata synon që përvoja dhe nevojat konkrete të bizneseve të përpunimit të drurit të merren parasysh gjatë përcaktimit të kritereve dhe mekanizmave për mbështetjen financiare të ndërmarrjeve.
ShPDK ka bërë të ditur se do ta informojë sektorin dhe publikun për ecurinë e punës së Grupit Punues dhe zhvillimet që do të dalin nga ky proces.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM