Ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me kontratën e KEK-ut për eksportin e linjitit në Maqedoninë e Veriut.
Mulaj ka thënë se mbështet çdo iniciativë që synon shfrytëzimin e resurseve që Kosova i posedon me bollëk dhe që mund të sjellin të ardhura, vende pune dhe zhvillim ekonomik.
Megjithatë, sipas tij, linjiti nuk duhet të shihet vetëm si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë apo si produkt për eksport, por duhet të analizohet edhe potenciali i tij për përpunim dhe përdorim në industri.
Ai ka kërkuar një studim serioz të fizibilitetit, për të përcaktuar se në cilat fusha linjiti mund të krijojë më shumë vlerë për ekonominë e Kosovës.
Mulaj ka ngritur gjithashtu çështjen e mundësive për zhvillimin e produkteve të reja me bazë linjiti, përpunimin dhe eksportin e produkteve me vlerë të shtuar, si dhe hapjen e mundësive për kompanitë private dhe investitorët.
Sipas tij, shfrytëzimi i këtij resursi duhet të bëhet me rregulla të qarta, standarde mjedisore dhe mbikëqyrje të fortë shtetërore.
“Nuk jam për politizimin e kësaj çështjeje. As për ta glorifikuar linjitin, as për ta demonizuar”, ka shkruar Mulaj, duke shtuar se Kosova duhet ta analizojë dhe menaxhojë këtë resurs në mënyrë që ta kthejë në zhvillim ekonomik.
Postimi i plote:
Linjitin ta shohim si resurs ekonomik, jo si temë politike
Sot u prononcova për RTV 21 lidhur me kontratën e KEK-ut për eksportin e linjitit në Maqedoninë e Veriut.
Qëndrimi im është i qartë: jam pro çdo iniciative që e shfrytëzon një resurs që Kosova e ka me bollëk dhe që mund të sjellë të hyra, vende pune dhe zhvillim ekonomik.
Por mendoj se duhet të shkojmë edhe një hap më tutje.
Kosova nuk duhet ta shohë linjitin vetëm si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë apo si produkt për eksport. Duhet të bëjmë një studim serioz të fizibilitetit për linjitin, për të parë se ku mund të krijohet vlera më e madhe për ekonominë tonë.
A mund të përdoret për prodhime industriale?
A mund të zhvillohen produkte të reja me bazë linjiti?
Cilat janë mundësitë për përpunim dhe eksport me vlerë të shtuar?
Cilat produkte do të ishin konkurruese në tregun rajonal dhe evropian?
Këto janë pyetje që duhet t’u përgjigjemi me studime, jo me deklarata politike.
Prandaj, krahas eksportit, do të doja të shihja edhe liberalizim dhe transparencë më të madhe në licencimin e shfrytëzimit të linjitit, duke krijuar mundësi për kompani private dhe investitorë që kanë ide dhe projekte konkrete për përdorimin e tij në industri dhe në produkte që i sjellin vlerë ekonomisë së Kosovës.
Natyrisht, kjo duhet të bëhet me rregulla të qarta, standarde mjedisore dhe mbikëqyrje të fortë shtetërore.
Nuk jam për politizimin e kësaj çështjeje. As për ta glorifikuar linjitin, as për ta demonizuar.
Jam për një qasje shumë më të thjeshtë:
Kosova ka një resurs të madh, ta analizojmë, ta menaxhojmë drejt dhe të shohim se si mund ta kthejmë në zhvillim ekonomik.
Në fund të fundit, pasuria natyrore nuk ka vlerë vetëm pse ekziston. Vlerë ka atëherë kur dimë ta shfrytëzojmë me mençuri dhe t’i krijojmë vlerë të shtuar vendit.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM