Aktuale
Unioni pas Takimit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane: Bashkë për më shumë investime dhe partneritete
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, pas takimit të mbajtur para dy ditësh në Prishtinë, përmes një postimi ka theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të reja për investime ndërmjet Kosovës, Gjermanisë dhe diasporës shqiptare.
Në Takimin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane 2026, të mbajtur në Flori Gallery – Prishtina Mall, morën pjesë përfaqësues të institucioneve, diplomacisë dhe komunitetit të biznesit nga Kosova, Gjermania dhe diaspora shqiptare.
Sipas Unionit, në qendër të takimit ishin investimet, partneritetet e reja dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik, ndërsa kompanitë pjesëmarrëse patën mundësi të prezantojnë aktivitetet dhe projektet e tyre.
Kryetari i Bordit të Unionit, Zenun Krasniqi, theksoi rëndësinë e lidhjeve ndërmjet bizneseve, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Irfan Percuku, prezantoi aktivitetet dhe projektet e Unionit.
Takimi u përmbyll me networking dhe takime B2B, ku u diskutuan mundësi konkrete për projekte, investime dhe partneritete të reja.
Unioni ka falënderuar pjesëmarrësit, partnerët dhe bizneset për kontributin në organizimin e ngjarjes, ndërsa mirënjohje të veçantë u ka shprehur sponsorëve DAAKON, me pronar Nazmi Viqa, dhe Flori Gallery, me pronar Trim Gjota.

Përmes këtij organizimi, Unioni synon të forcojë urat e bashkëpunimit ekonomik dhe të krijojë më shumë mundësi për investime dhe partneritete ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM