Aktuale
100 mijë dollarë në muaj për t’i lexuar disa sekonda më herët postimet e Trumpit
Kompania mediatike e presidentit amerikan, Donald Trump, Trump Media & Technology Group, ka prezantuar një shërbim të ri që u mundëson klientëve të marrin më shpejt postimet e publikuara në platformën Truth Social dhe në llogari të tjera me ndikim.
Shërbimi, i quajtur Truth API, është projektuar kryesisht për firma financiare, investitorë institucionalë dhe kompani që mbështeten në informacionin në kohë reale për të marrë vendime në treg.
Sipas raportimeve, abonimi për këtë shërbim mund të kushtojë deri në 100 mijë dollarë në muaj, duke u ofruar klientëve qasje më të shpejtë në postimet që mund të ndikojnë në lëvizjet e tregjeve financiare, raportoi CNBC.
Postimet e Trumpit kanë shkaktuar shpesh reagime të menjëhershme në tregje, veçanërisht kur lidhen me tarifat, politikat tregtare, energjinë, sanksionet ose zhvillimet ndërkombëtare. Për këtë arsye, shumë kompani e konsiderojnë të vlefshme marrjen e këtij informacioni sa më shpejt.
Megjithatë, nisma ka nxitur debat, pasi kritikët paralajmërojnë se mund të krijojë avantazh për investitorët që paguajnë për qasje më të shpejtë në informacione publike. Nga ana tjetër, Trump Media thekson se bëhet fjalë për një produkt teknologjik që shpërndan të dhëna publike dhe është pjesë e strategjisë së kompanisë për zgjerimin e aktivitetit përtej rrjetit social Truth Social. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM