Aktuale
Rizvanolli: Ka hapësirë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Francës
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka drejtuar tryezën e rrumbullakët për prioritetet zhvillimore të Kosovës dhe bashkëpunimin ekonomik me Francën, në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Ministrit të Deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, përfaqësues të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), France Sport Expertise Group, si dhe përfaqësues të kompanive franceze.
Diskutimi u zhvillua pas nënshkrimit të pesë instrumenteve të reja të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, që përfshijnë marrëveshjen për ekstradim, marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, marrëveshjen e kredisë me AFD-në për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, Deklaratën e Synimit për themelimin e Komitetit Francë–Kosovë për Lojërat Mesdhetare, si dhe marrëveshjen administrative për zgjerimin e mësimdhënies së gjuhës frënge në Kosovë.
Ministrja Rizvanolli prezantoi prioritetet ekonomike dhe zhvillimore të Kosovës, me theks të veçantë në tranzicionin energjetik, zhvillimin e kapaciteteve të reja solare dhe të erës, modernizimin dhe digjitalizimin e rrjetit energjetik, si dhe zhvillimin e sistemeve të reja të ngrohjes qendrore.
Ajo theksoi rëndësinë e rritjes së investimeve dhe bashkëpunimit në sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, prodhimit, tregtisë dhe infrastrukturës, duke ftuar kompanitë franceze të marrin pjesë në projektet e ardhshme investuese në Kosovë.
“Franca është një nga partnerët tanë kryesorë evropianë. Ekziston hapësirë e konsiderueshme që marrëdhëniet tona të fuqishme politike të plotësohen me bashkëpunim edhe më të thellë ekonomik, investime të reja dhe projekte konkrete në interes të qytetarëve dhe ekonomive tona”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ministri francez Benjamin Haddad e vlerësoi diskutimin si produktiv, duke theksuar se ai përbën fillimin e një bashkëpunimi më të gjerë dhe më ambicioz ndërmjet Kosovës dhe Francës.
“Ky është fillimi i diçkaje më të madhe dhe shumë më ambicioze. Lojërat Mesdhetare përbëjnë një mundësi shumë të mirë për ta nxitur dhe thelluar bashkëpunimin tonë”, u shpreh Haddad.
Gjatë tryezës u diskutua edhe roli i Agjencisë Franceze për Zhvillim në mbështetjen e projekteve në energji, infrastrukturë dhe sport, si dhe kontributi i ekspertizës franceze në përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar thellimin e bashkëpunimit dhe për t’i shndërruar prioritetet e identifikuara në projekte konkrete, duke synuar nxitjen e investimeve, zhvillimin e qëndrueshëm dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike për të dyja vendet.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM