Aktuale
Reagim i Odës Ekonomike Shqiptare: Kundërshton lidhjen e institucionit me çështje të bizneseve private
Oda Ekonomike Shqiptare ka reaguar ndaj, siç e ka quajtur, përpjekjeve për ta ndërlidhur institucionin me çështje që kanë të bëjnë me veprimtarinë private të bizneseve apo individëve.
Në një komunikatë për media, Oda ka theksuar se çdo procedurë ligjore ndaj një kompanie duhet të trajtohet vetëm nga institucionet kompetente dhe në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
“Është e papranueshme që Oda Ekonomike Shqiptare të përfshihet në këtë narrativë, pasi institucioni ynë është i pavarur dhe vepron në funksion të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-shqiptar”, thuhet në reagim.
Oda ka vlerësuar kontributin e kryetarit të saj, Hyzer Gashi, në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se këto arritje nuk duhet të ndërlidhen me çështje që i përkasin një biznesi privat.
Në fund të reagimit, Oda Ekonomike Shqiptare ka riafirmuar përkushtimin ndaj sundimit të ligjit, respektimit të institucioneve dhe fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet shqiptarëve.
“Besojmë se e vërteta dhe drejtësia gjithmonë do të mbizotërojnë”, përfundon komunikata e nënshkruar nga Florim Rullani, sekretar për Marrëdhënie me Publikun në Odën Ekonomike Shqiptare. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM