Aktuale
Zhegrova ‘rikthehet’ në St. Jakob-Park: Baseli, kapitull shumë i rëndësishëm për mua
Edon Zhegrova do të rikthehet në stadiumin “St. Jakob-Park”, kësaj radhe si futbollist i Juventusit, në ndeshjen miqësore kundër Baselit. Para kësaj sfide, reprezentuesi i Kosovës dha një intervistë për klubin zviceran, ku foli me emocione për periudhën e kaluar te Baseli.
26-vjeçari e cilësoi Baselin si një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së tij, duke theksuar se aty u zhvillua si lojtar dhe si person. Ai kujtoi atmosferën e veçantë në stadium dhe mbështetjen që mori nga tifozët që nga dita e parë.
Pas largimit nga Baseli, Zhegrova vazhdoi karrierën te Lille, ku zhvilloi 107 ndeshje zyrtare, shënoi 26 gola dhe regjistroi 18 asistime, përpara se të transferohej te Juventusi. Ai tha se vazhdon ta ndjekë ish-klubin dhe është i lumtur që Baseli është rikthyer në majën e futbollit zviceran.
Sulmuesi kosovar shtoi se sot ndihet një futbollist më i pjekur dhe më i kompletuar, pasi përveç talentit ka mësuar rëndësinë e disiplinës, qëndrueshmërisë dhe marrjes së vendimeve të duhura. Për sezonin e ri me Juventusin, Zhegrova theksoi se objektivi kryesor është të qëndrojë i shëndetshëm, të ndihmojë ekipin me gola e asistime dhe të kontribuojë në suksesin e skuadrës.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM