Aktuale
Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë dy marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në bujqësi
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të ministrit shqiptar të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Gjatë vizitës, dy ministrat nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi që synojnë forcimin e koordinimit institucional dhe avancimin e politikave të përbashkëta në sektorin agro-ushqimor.
Marrëveshjet përfshijnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë, fitosanitetit, zhvillimit rural dhe mbështetjes së fermerëve përmes politikave bujqësore dhe skemave financiare. Po ashtu, ato synojnë përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, modernizimin e sektorit përmes digjitalizimit dhe forcimin e kërkimit shkencor e inovacionit.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me synim zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, rritjen e sigurisë ushqimore dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve rurale në të dy vendet.


BASHKOHUNI NË DISKUTIM