Aktuale
Nis projekti 8.78 milionë franga për transformimin e gjelbër të bizneseve në Kosovë
Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka marrë pjesë në lansimin e projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK), një iniciativë që synon të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat dhe të rrisë konkurrueshmërinë e bizneseve kosovare.
Ky projekt vjen pas marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MINTI-t dhe Qeverisë së Zvicrës, me vlerë prej 8.78 milionë frangash zvicerane, e cila synon të ndihmojë ndërmarrjet private në procesin e transformimit të gjelbër dhe përshtatjen me standardet bashkëkohore të tregut.
Mehmeti theksoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mbeten shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës, duke krijuar vende pune, duke nxitur investimet dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas tij, tranzicioni i gjelbër paraqet një mundësi të rëndësishme për bizneset kosovare, veçanërisht për ato që eksportojnë ose synojnë të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare.
Ai nënvizoi se Qeveria e Kosovës e konsideron transformimin e gjelbër si pjesë të rëndësishme të agjendës për zhvillim ekonomik dhe integrim evropian, duke u zotuar për krijimin e kushteve më të favorshme për investime, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm të sektorit privat.
Sipas zëvendësministrit, projekti GPEK do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat, institucioneve financiare dhe partnerëve zhvillimorë, duke krijuar bazë të fortë për ndryshime afatgjata dhe të qëndrueshme në ekonominë e vendit.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM