Aktuale
Pacolli ngre alarmin për bllokimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës: Po dëmtohen investimet dhe interesi publik
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Aeroportin e Vlorës, duke e cilësuar si alarmante bllokimin e punimeve.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli tha se punimet janë penguar nga veprime të një grupi personash, të cilat, sipas tij, bien në kundërshtim me ligjin dhe me vendimet e formës së prerë të gjykatave shqiptare.
Ai theksoi se kjo situatë po shkakton dëme të mëdha ekonomike dhe po cenon interesin publik, ndërsa investitori koncesionar MABCO po vazhdon të mbajë barrën financiare të projektit, vlera e të cilit tejkalon 310 milionë euro.
Pacolli vlerësoi se vonesat në përfundimin e aeroportit po ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë si destinacion i sigurt për investime strategjike.
Ai u bëri thirrje institucioneve të rendit, Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë që të ndërhyjnë urgjentisht për zhbllokimin e punimeve, garantimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe hetimin e plotë të të gjitha veprimeve që kanë çuar në krijimin e kësaj situate.
Sipas Pacollit, çdo person që ka vepruar në kundërshtim me ligjin ose ka penguar zbatimin e vendimeve gjyqësore duhet të mbajë përgjegjësi ligjore. Ai shtoi se MABCO mbetet e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zbardhjen e rastit.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM