Aktuale
KFOR-i trajnon policët e Kosovës për ndërhyrje emergjente mjekësore
Oficerët e Policisë së Kosovës, kanë marrë pjesë në një trajnim për ndihmën emergjente mjekësore, të udhëhequr nga ushtarë të Komandës Rajonale-Lindje (RC-E) të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut.
“Trajnimi u fokusua në teknikat shpëtuese të jetës, duke përfshirë vlerësimin e të lënduarve, menaxhimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe evakuimin e viktimave. Qëllimi ishte forcimi i aftësive të pjesëmarrësve për të ofruar kujdes të menjëhershëm në situata kritike dhe emergjente”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Tutje sipas njoftimit të KFOR-it, aktivitete të tilla pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të misionit me strukturat lokale të sigurisë, duke mbështetur zhvillimin profesional të tyre dhe rritjen e efektivitetit operacional në shërbim të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Misioni i NATO-s thekson gjithashtu se KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM