Top Lajme
Reuters shkruan për zgjedhjet në Kosovë: Vendi kërkon dalje nga kriza politike
Kosova iu drejtua kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare për të tretën herë brenda vetëm 18 muajsh, pasi asnjë parti nuk ka arritur të sigurojë një shumicë të qëndrueshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike, raporton Reuters.
Media britanike thekson se Kosova, si vendi më i ri në Evropë me aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka funksionuar pa një qeveri plotësisht stabile për pjesën më të madhe të vitit të kaluar. Kjo pasoi dështimet e parlamentit për të zgjedhur fillimisht kryetarin e tij dhe më pas një president të ri.
Edhe pse nuk ka sondazhe të fundit të opinionit, analistët parashikojnë një tjetër rezultat të fortë për Lëvizjen Vetëvendosje. Megjithatë, ata vlerësojnë se formimi i qeverisë do të kërkojë kompromis me partitë e tjera për të siguruar shumicën e nevojshme, përfshirë edhe për zgjedhjen e presidentit.
Në zgjedhjet e fundit, Vetëvendosje kishte fituar 51.1% të votave, por mungesa e marrëveshjes politike çoi në shpërbërjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Reuters raporton se ciklet e përsëritura zgjedhore kanë vonuar reformat dhe kanë ndikuar në rrjedhën e fondeve të Bashkimit Evropian, ndërsa qytetarët shprehin lodhje nga ngërçi politik dhe presin përmirësim të standardit të jetesës, paga më të larta dhe çmime më të përballueshme.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM