Aktuale
Takim i rëndësishëm i BQK-së me përfaqësues të FMN-së
Krye-Këshilltari Financiar dhe Drejtori i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Tobias Adrian, u prit në takim nga përfaqësues të Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore e Kosovës, ku u diskutuan zhvillimet aktuale në sektorin financiar të Kosovës, si dhe prioritetet strategjike të BQK-së.
Në takim u vlerësua se sektori financiar në Kosovë mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe me performancë të qëndrueshme. Palët diskutuan gjithashtu për rëndësinë e forcimit të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe zbatimin e politikave makroprudenciale, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua Planit Strategjik të BQK-së, me fokus në modernizimin e sistemeve të pagesave, digjitalizimin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve, forcimin e qeverisjes institucionale, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e tregjeve financiare.
Gjithashtu, u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet në mjedisin financiar ndërkombëtar dhe sfidat që prekin ekonomitë e vogla dhe të hapura, duke theksuar rëndësinë e politikave të kujdesshme dhe qëndrueshmërisë institucionale përballë pasigurive globale.
BQK shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së përmes asistencës teknike, këshillimit profesional dhe dialogut të rregullt, duke riafirmuar përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë në funksion të stabilitetit financiar dhe avancimit të sektorit financiar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe procesin e integrimit evropian.
Vizita e z. Adrian në Kosovë po zhvillohet në kuadër të konferencës rajonale të nivelit të lartë “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, të organizuar nga BQK, e cila ka mbledhur përfaqësues të bankave qendrore dhe institucioneve ndërkombëtare për të diskutuar të ardhmen e financave digjitale dhe stabilitetit financiar./ekolajmi


BASHKOHUNI NË DISKUTIM