Aktuale
Oda Ekonomike Shqiptare mirëpret idenë për Bankën Zhvillimore: Do të ketë ndikim pozitiv në ekonominë e Kosovës
Oda Ekonomike Shqiptare ka reaguar lidhur me përfshirjen e ideve për zhvillim ekonomik në programet e subjekteve politike në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe konceptin për themelimin e Bankës Zhvillimore Kosovare (BZHK).
Sipas Odës, është për t’u mirëpritur fakti që ide të cilat prej vitesh janë promovuar nga ekspertë vendorë dhe komuniteti ekonomik po gjejnë vend në debatet dhe programet politike të vendit.
Në reagim thuhet se ideja për BZHK është prezantuar edhe nga Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë fushatës zgjedhore, si dhe është bërë pjesë e programeve të prezantuara nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe liderë të tjerë politikë.
Oda vlerëson se një bankë zhvillimore do të kishte ndikim pozitiv në ekonominë e Kosovës, duke mbështetur sektorin prodhues, bujqësinë, eksportin dhe ndërmarrjet vendore.
Megjithatë, ajo thekson se koncepti fillestar i kësaj ideje i atribuohet ekonomistit dhe ekspertit të biznesit, Hyzer Gashi, i cili e ka promovuar prej vitesh në platforma të ndryshme ekonomike.
Oda shton se idetë e mira duhet të bashkojnë institucionet, ekspertët dhe politikën në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit./ekolajmi

BASHKOHUNI NË DISKUTIM