Aktuale
Nis skriningu neonatal në Spitalin e Prizrenit, synohet zbulimi i hershëm i sëmundjeve te foshnjat
Në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka nisur zyrtarisht skriningu neonatal për foshnjat e porsalindura, një procedurë që synon zbulimin e hershëm të sëmundjeve metabolike, hormonale dhe gjenetike.
Neonatologët e vlerësojnë këtë hap si të rëndësishëm për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për të porsalindurit në Kosovë, duke mundësuar diagnostikim të hershëm dhe trajtim në kohë për sëmundje që nuk shfaqin simptoma menjëherë pas lindjes.
Ushtruesi i detyrës së shefit të Repartit të Neonatologjisë, Ergin Tokay, tha për Radio Kosovën se skriningu neonatal po aplikohet për herë të parë në këtë institucion dhe kryhet brenda 24 deri në 72 orëve të para pas lindjes.
“Skriningu neonatal është një seri testesh mjekësore që kryhen te të porsalindurit. Merret një pikë gjaku nga thembra e foshnjës për të kontrolluar sëmundje metabolike, hormonale dhe gjenetike si hipotiroidizmi kongjenital apo fenilketonuria”, tha Tokay.
Sipas tij, përmes kësaj procedure të thjeshtë dhe të sigurt, mundësohet zbulimi i hershëm i sëmundjeve që, nëse nuk trajtohen me kohë, mund të shkaktojnë komplikime serioze shëndetësore, përfshirë dëmtime të trurit dhe vonesa në zhvillim.
Ai shtoi se skriningu përfshin kontrollin e funksionit të gjëndrës tiroide, testimin për fenilketonuri, si dhe identifikimin e fibrozes cistike dhe distrofisë muskulore.
Aktualisht, skriningu neonatal po zbatohet në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, në Spitalin e Mitrovicës dhe tashmë edhe në Prizren, ndërsa institucionet shëndetësore kanë paralajmëruar zgjerimin e këtij programi edhe në spitalet e tjera rajonale dhe në sektorin privat.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM