Aktuale
Komiteti i PE-së: Kriza politike në Kosovë mund të rezultojë me humbje financiare
Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar raportin vjetor për Kosovën, në të cilin përsëritet se viti 2025 ishte një vit i humbur për vendin, ndërsa tërhiqet vërejtja se edhe muajt e vitit 2026 po rrezikohen për shkak të krizës politike.
Këto humbje, sipas dokumentit, do të rezultojnë edhe me humbje të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes i BE-së, pasi ekziston frika se Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nga kjo shumë, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se vendi përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.
Fundi i qershorit të këtij viti është momenti kur secili shtet i rajonit hyn në të ashtuquajturin moment të humbjes së përhershme, nëse nuk i përmbush reformat e dakorduara më herët.
Burimet në Bruksel i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nëse nuk ndërmerren të gjitha reformat, Kosova mund të humbasë 68.8 milionë euro.
Gjatë krizës politike vitin e kaluar në Kosovë – kur u mbajtën dy palë zgjedhje parlamentare për shkak të pamundësisë së formimit të institucioneve – u vunë në dyshim fondet nga Plani i Rritjes, por edhe fonde nga mekanizma të tjerë ndërkombëtar.
Vendi do të mbajë zgjedhje të reja parlamentare më 7 qershor të këtij viti, pasi legjislatura paraprake nuk arriti të zgjidhte një president të ri, duke bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Autori i dokumentit, eurodeputeti, njëherësh raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, ka vlerësuar se 18 muajt e fundit kanë qenë të vështirë për Kosovën.
“Ngërçi politik ka një ndikim të rëndësishëm në të ardhmen e vendit. Është e rëndësishme që Kosova të qëndrojë në rrugën evropiane dhe të ecë përpara me integrimin”, ka deklaruar Terras pas miratimit të dokumentit.
Ai ka theksuar se raporti i miratuar ofron një vlerësim objektiv dhe të drejtë të situatës në Kosovë.
“Ne theksojmë çështjet që lidhen me lirinë e medias, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu theksojmë zhvillimet pozitive – miratimin e vendimeve të nevojshme për Planin e Rritjes nga Kuvendi i Kosovës dhe, natyrisht, heqjen e masave të Komisionit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë lajme shumë të mira”, ka shtuar eurodeputeti Terras.
Në të ashtuquajturën deklaratë shpjeguese, të cilën Terras ia ka bashkëngjitur dokumentit zyrtar në formë aneksi, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian vlerëson se zgjedhjet e vitit 2025, si ato parlamentare ashtu edhe ato lokale, janë zhvilluar në mënyrë të rregullt.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM