Në kuadër të Konferencës Rajonale për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), u mbajt një panel i nivelit të lartë me pjesëmarrjen e bankave qendrore të rajonit dhe përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Sesioni u fokusua në “kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, duke trajtuar ndikimin e kripto-aseteve, parasë digjitale dhe inovacionit financiar në stabilitetin financiar, sistemet e pagesave dhe integritetin e tregjeve.
Në diskutime morën pjesë guvernatorë dhe përfaqësues të bankave qendrore të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë, të cilët prezantuan zhvillimet më të fundit në modernizimin e sistemeve financiare dhe përafrimin e kornizave rregullative me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.
Paneli i nivelit të lartë, ku morën pjesë edhe përfaqësues të FMN-së, u fokusua në rreziqet për stabilitetin financiar, koordinimin rregullativ ndërmjet vendeve, zhvillimin e shërbimeve financiare digjitale dhe mbikëqyrjen e tregjeve të kripto-aseteve dhe “stablecoins”.
Pjesëmarrësit theksuan se zhvillimi i financave digjitale duhet të mbështetet në rregullim të bazuar në rrezik, mbrojtje të konsumatorëve dhe forcim të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar. Gjithashtu u diskutuan sfidat që lidhen me sigurinë kibernetike dhe parandalimin e pastrimit të parave.
Nga paneli u theksua nevoja për korniza të qarta dhe të harmonizuara rregullative që mundësojnë inovacionin financiar, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin e sistemit dhe besimin e publikut.
Konferenca po shërben si platformë rajonale për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit institucional në fushën e financave digjitale në Ballkanin Perëndimor.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM