Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucionet janë në proces të vlerësimit dhe pagesës së orëve shtesë për zyrtarët policorë, duke siguruar se gjatë mandatit të tij nuk ka mbetur asnjë orë shtesë pa u kompensuar.
Duke komentuar raportimet se disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës nuk kanë marrë pagesat për orët shtesë të punës, Sveçla tha se aktualisht po punohet për krijimin e një sistemi më efikas që do të garantojë trajtimin e drejtë të tyre.
“Është një proces i vlerësimit të orëve shtesë. Tashmë jemi në proces që ato të paguhen. Po punojmë në dizajnimin e një sistemi sa më të mirë, në mënyrë që askujt të mos i humbasë mundi dhe angazhimi, por njëkohësisht edhe buxheti i Policisë së Kosovës të orientohet drejt investimeve kapitale dhe shpenzimeve të nevojshme”, tha ai.
Sveçla theksoi se Qeveria ka qenë vazhdimisht e përkushtuar në përmirësimin e kushteve të punës për zyrtarët policorë, duke shtuar se për këtë angazhim është kritikuar shpesh nga kundërshtarët politikë.
Sipas tij, mbështetja për Policinë e Kosovës ka qenë një ndër prioritetet kryesore gjatë mandatit të tij, duke insistuar se çdo orë shtesë e punuar nga zyrtarët policorë është kompensuar.
“Prej se jam unë ministër, asnjë orë shtesë nuk ka mbetur pa u paguar”, u shpreh Sveçla.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM