Në Kosovë është rihapur diskutimi për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të përpjekjeve për diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Debati është nxitur edhe nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila ka prezantuar një analizë për potencialin e gazit amerikan në Evropë dhe mundësitë e Kosovës për t’u lidhur me rrjetet rajonale të gazit.
Drejtori ekzekutiv i Odës, Arian Zeka, ka thënë se gazi amerikan mund të ndihmojë në rritjen e sigurisë energjetike dhe stabilitetit të çmimeve të energjisë në Kosovë, por sipas tij mungon ende një vendim i qartë institucional për këtë çështje.
Në këtë debat përfshihet edhe ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, e cila më herët ka shprehur nevojën për vlerësim të kujdesshëm të opsioneve energjetike dhe gatishmëri për bashkëpunim ndërkombëtar në sektorin e energjisë.
Ndërkohë, Ambasada e Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka deklaruar se SHBA-ja është e gatshme të bashkëpunojë me Kosovën për projekte energjetike të sigurta dhe të diversifikuara.
Kosova kishte hequr dorë në vitin 2021 nga një projekt për infrastrukturë gazi të mbështetur nga SHBA-ja, por tema është rikthyer sërish në fokus për shkak të ndryshimeve në tregjet globale të energjisë.
Zyrtarë amerikanë të energjisë kanë theksuar se sistemi energjetik i Kosovës ka nevojë për modernizim, duke e parë këtë si mundësi për investime, por kanë shtuar se suksesi i projekteve varet nga përmirësimi i klimës institucionale dhe rregullatore në vend.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM