Ekonomi
Për shkak të rrjedhjeve në kaldajë, KEK ndal njësinë A3 të “Kosova A”
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A3 në Termocentralin “Kosova A” do të ndalet sonte rreth orës 00:00, pas identifikimit të rrjedhjeve në sistemin gypor të kaldajës.
Sipas KEK-ut, vendimi është marrë nga menaxhmenti dhe ekipet profesionale pas monitorimit të vazhdueshëm të gjendjes teknike, me qëllim parandalimin e dëmtimeve më të mëdha në pajisje dhe garantimin e sigurisë operative.
Ndalimi i njësisë do të realizohet në mënyrë të planifikuar dhe në përputhje me standardet teknike dhe procedurat e sigurisë.
Ekipet e mirëmbajtjes janë tashmë në gatishmëri dhe do të nisin punimet për identifikimin dhe sanimin e rrjedhjeve sapo të krijohen kushtet e nevojshme për ndërhyrje të sigurt. Qëllimi është rikthimi i njësisë në operim sa më shpejt që të jetë e mundur.
KEK ka kujtuar se njësia A3 ishte rikthyer në operim më 2 prill 2026 pas një ndërhyrjeje të mëparshme dhe kishte funksionuar për rreth 58 ditë.
Korporata thekson se po vazhdon investimet modernizuese në kapacitetet energjetike, veçanërisht në “Kosova B”, ndërsa mbetet e përkushtuar edhe ndaj mirëmbajtjes së sigurt të termocentralit “Kosova A”.
KEK ka bërë të ditur se do të informojë publikun për zhvillimet e mëtejshme dhe për rikthimin e njësisë në operim.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM