Ekonomi
“Siguria energjetike në Kosovë – Prattipatti: Varësia nga importi po rritet ndjeshëm në tre vitet e fundit”
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar një diskutim me temë “Shfrytëzimi i Gazit Natyror të Lëngshëm (LNG) të SHBA-së për Sigurinë Energjetike dhe Bashkërendimin Strategjik të Kosovës”, ku u trajtuan sfidat dhe perspektivat e sektorit energjetik në vend.
E ngarkuara me punë të posaçme e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipatti, ka theksuar se Kosova po përballet me varësi të lartë nga importi i energjisë elektrike, ndërsa në tre vitet e fundit importet janë rritur ndjeshëm.
Sipas saj, furnizimi i brendshëm nuk po e ndjek rritjen e kërkesës, duke bërë që Kosova të mbështetet gjithnjë e më shumë në importet e kushtueshme nga tregjet fqinje.
“Siguria energjetike është siguri kombëtare, dhe diversifikimi i energjisë është thelbësor për arritjen e kësaj sigurie,” u shpreh Prattipatti, duke theksuar se vetëm në vitin 2025 importet e energjisë elektrike kanë arritur në 259 milionë euro.
Ajo shtoi se problemet me furnizimin me energji po ndikojnë edhe në investimet e huaja, sidomos nga kompanitë amerikane në sektorët e teknologjisë dhe mbrojtjes.
Prattipatti theksoi se gazi natyror i lëngshëm (LNG) nga SHBA mund të shërbejë si një alternativë e rëndësishme për diversifikimin e burimeve energjetike në Kosovë, duke e bërë sistemin më fleksibil dhe më të qëndrueshëm.
“Ne nuk po themi të zëvendësohet linjiti, por LNG do të ishte një plotësim i rëndësishëm për sistemin ekzistues energjetik,” tha ajo.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Ministrisë së Ekonomisë, Anila Beqa, tha se politikat energjetike sot përfshijnë më shumë sesa prodhimin e energjisë, duke përfshirë edhe stabilitetin ekonomik dhe konkurrueshmërinë.
Ajo theksoi se Kosova ende nuk ka infrastrukturë të gazit, por ka potencial të madh në energjinë e ripërtëritshme dhe në zhvillimin e sistemit të energjisë së qëndrueshme.
Sipas saj, strategjia e qeverisë është e fokusuar në diversifikimin e burimeve energjetike, investimet në energji të ripërtëritshme, përmirësimin e rrjetit dhe rritjen e kapaciteteve të magazinimit të energjisë.
Diskutimi u vlerësua si i rëndësishëm për të ardhmen energjetike të Kosovës, në një kohë kur vendi përballet me sfida të rritura të furnizimit dhe çmimeve në tregun e energjisë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM