Aktuale
Kurti në Ditën e Evropës: Kosova synon statusin e kandidatit dhe integrimin në BE
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë një mesazh me rastin e Ditës së Evropës, duke vënë në pah rëndësinë e Bashkimit Evropian dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar.
“Evropa nuk do të bëhet menjëherë apo sipas një plani të vetëm. Ajo ndërtohet përmes arritjeve konkrete, të cilat fillimisht krijojnë një solidaritet de facto,” ka shkruar Kurti, duke iu referuar ideve të Robert Schuman dhe themelimit të Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai theksoi se për Kosovën, projekti evropian ka përfaqësuar një premtim për paqe që ende mbetet i papërmbushur, duke përmendur përvojat historike të vendit, përfshirë luftërat dhe gjenocidin serb. Sipas tij, integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje zhvillimi ekonomik, por edhe garanci për paqe të qëndrueshme në kontinent.
Kurti vlerësoi progresin e Kosovës në fushën e demokracisë dhe ekonomisë, duke përmendur aplikimin për anëtarësim në BE dhe liberalizimin e vizave si arritje të mandatit të kaluar.
Ai shtoi se mandati i ardhshëm do të fokusohet në marrjen e statusit të vendit kandidat, hapjen e negociatave dhe avancimin e mëtejshëm të Kosovës në procesin e integrimit evropian.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM