Aktuale
IPK arreston katër zyrtarë policorë, dyshohen për disa vepra penale
Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se duke iu referuar operacionit të sotshëm të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë shoqëruar në objektin e IPK-së katër zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast.
IPK njofton se pas intervistimit tre zyrtarë policorë janë arrestuar dhe me vendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse ndaj një zyrtari tjetër rasti do të vazhdoj në procedurë të rregullt.
“Operacioni është realizuar në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq në bazë të urdhëresës se Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka përfshirë bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy personave civilë/qytetarë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale”, thuhet një njoftim.
IPK njofton se hetimet lidhur me këtë rast ndaj katër zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë me dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit.
Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për 4 zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast.
Tutje thuhet se hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin.
Ndryshe, sipas dyshimeve fillestare dhe veprimeve hetimore të ndërmarra deri në këtë fazë të hetimeve, të dyshuarit në bashkëveprim, dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me përfitime të kundërligjshme pasurore, përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të tyre. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM