Aktuale
Ibrahimi: Moszbatimi i vendimit të Kushtetuesës rrezikon miliona euro për komunat
Asociacioni i Komunave të Republikës së Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se komunat janë pranë kolapsit financiar.
Sipas Ibrahimit, komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro nëpërmjet vendimeve gjyqësore në periudhën 2022-2026, teksa shumica prej tyre kanë të bëjnë me kontratën kolektive.
“Vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro. Situata financiare po rëndohet edhe më tej me një barrë të re prej 15–20 milionë eurosh.
Kjo barrë shtesë vjen si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga ana e ministrit Hekuran Murati dhe Ministrisë së Financave, lidhur me përllogaritjen e shtesës për përvojën e punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën 2023–2025”, tha Ibrahimi.
Sipas tij, komunat po përballen me presion të trefishtë financiar – atë të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore për kontratën kolektive, ndikimin negativ në buxhetet komunale dhe investimet kapitale, si edhe nga moszbatimi i vendimit detyrues kushtetues.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe obliguese për të gjitha institucionet. Moszbatimi i tyre jo vetëm që cenon rendin kushtetues, por prodhon pasoja direkte financiare që në këtë rast po i barten padrejtësisht komunave.
Është e rëndësishme të theksohet se komunat nuk kanë pasur asnjë rol në krijimin e kësaj situate. Politikat e pagave dhe zbatimi i vendimeve kushtetuese janë përgjegjësi ekskluzive e nivelit qendror. Megjithatë, në praktikë, faturat po paguhen nga buxhetet komunale, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të pushtetit lokal dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët” shtoi Ibrahimi.
Kreu i AKK-së kërkoi ndërhyrje urgjente nga qeveria, duke kërkuar marrjen e përgjegjësisë së plotë financiare për këto obligime.
Ai vlerëson se është e domosdoshme që komunat të mos penalizohen për një dështim që nuk u takon.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM