Ekonomi
Gramos Hashani zgjidhet Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut
Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se Bordi i Drejtorëve të KEK-ut ka përzgjedhur Gramos Hashani për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të KEKE-ut.
KEK thekson se procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe ka përfshirë vlerësimin dhe intervistimin e të gjithë kandidatëve që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në konkursin publik.
Në njoftim tutje bëhet e ditur se Hashani është i diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa studimet master i ka përfunduar në Universitetin e Incarnate Word në San Antonio, Texas, SHBA.
Ai është Kontabilist i Certifikuar dhe Auditor i Brendshëm i Certifikuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SCAAK), si dhe anëtar i Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar (ACCA), Londër, Mbretëria e Bashkuar.
Tutje thuhet se Hashani posedon ekspertizë të theksuar në menaxhimin strategjik financiar, qeverisjen korporative, investimet në tranzicionin energjetik dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit (IFRS dhe US GAAP).
Përvoja e tij profesionale përfshin sektorin e energjisë dhe atë financiar, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe në Kosovë, ku ka ushtruar pozita të larta në kompani ndërkombëtare dhe vendase. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM