Aktuale
Nënshkruhet marrëveshja për anije ushtarake, Nufi: 400 vende pune dhe prodhim për eksport
Këtë të mërkurë është nënshkruar marrëveshja mes kompanisë italiane Fincantieri, një prej më të mëdhave në Evropë në fushën e ndërtimit detar, dhe kompanisë KAYO, për prodhimin e anijeve ushtarake në Shqipëri.
Projekti do të realizohet në kantierin e Pashalimanit dhe synon ndërtimin e mjeteve lundruese jo vetëm për nevojat e ushtrisë shqiptare, por edhe për vendet aleate.
Drejtori i KAYO, Ardi Veliu, theksoi se kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të forcave të armatosura shqiptare.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, u shpreh se bashkëpunimi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Ai bëri të ditur se Shqipëria do të shndërrohet në një bazë të re evropiane për ndërtimin e anijeve të vogla dhe të mesme.
Sipas tij, rreth 400 persona pritet të punësohen në këtë kantier modern që do të ndërtohet në Vlorë, duke e cilësuar këtë projekt si një arritje të rëndësishme për vendin.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM